Drejtori i ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Tokios u pushua nga puna një ditë para ngjarjes më të madhe sportive të vitit.
Organizatorët e Olimpiadës njoftuan vendimin në një konferencë shtypi dhe cituan një incident vite më parë, ku Kentaro Kobayashi thuhet se kishte bërë humor me Holokaustin.
”I gjithë programi i hapjes do të shqyrtohet përsëri”, theksoi shefi ekzekutiv i komitetit organizues, Toshiro Muto.
Agjencia japoneze e lajmeve, Kyodo njoftoi se shakatë dolën në dritë në videon e shfaqur së fundmi të Kobayashi, një ish-komedian.
Shkarkimi i Kobayashi është goditja e fundit për organizatorët e Olimpiadës, të cilat do të zhvillohen pa spektatorë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Po ashtu edhe kompozitori i ceremonisë së hapjes, Keigo Oyamada dha dorëheqjen së fundmi pasi ai kishte tallur fëmijët me aftësi të kufizuara.