Opozita fiton zgjedhjet në ishullin më të madh të botës

 1,034 total views,  1 views today

Për herë të parë në histori partia opozitare e Groenlandës ka fituar zgjedhjet në ishullin më të madh në botë, dhe kjo mund të shkaktojë një efekt domino në ekonominë dhe gjeopolitikën globale.

Partia e majtë e komunitetit Inuit, e quajtur Ataqatigiit (Bashkimi i njerëzve) ka fituar 37% e votave, ndërkohë që partia që ka tradicionalisht dominuar politikën në shtetin me 56 mijë banorë, social-demokratja Siumut, nuk arriti të merrte më shumë se 29%.

Por kjo zgjedhje në ishullin e largët verior, që ende mbetet territor i Danimarkës që e mbron dhe kontrollon monedhën dhe politikën e jashtme, mund të shkaktojë një ndryshim të madh në politikën ekonomike të atij vendi, veçanërisht në qasjen ndaj shfrytëzimit të minierave.

Groenlanda është tejet e pasur me minerale të rralla dhe të çmuara si uraniumi por edhe të tjerë si neodimiumi, element që përdoret tashmë gjerësisht në aparatet teknologjike më të avancuara.

Majtistët e Ataqatigiit mendojnë një zvogëlim të shfrytëzimit të minierave, sidomos ndalimin e projekteve të reja, që sipas tyre po shkatërron klimën dhe natyrën e ishullit.

Por në ato miniera, si ajo gjigante e Kvanefjed që është ende një projekt, interesat janë shumë të mëdha, me kompani australiane dhe investitorë kinezë që prej vitesh kanë monopolizuar ekonominë lokale.

Ritmi i përshpejtuar i shkrirjes së akujve po bën akoma më të aksesueshme burime mineralesh dhe gazi që më parë nuk ishte e leverdishme të nxirreshin nga nëndheu, dhe padyshim interesi edhe nga kompani të tjera ndërkombëtare po bëhet gjithmonë e më i madh.

Jo më kot, në vitin 2019, presidenti amerikan i atëhershëm, Donald Trump, bëri xhiron e botës me propozimin e tij për blerjen nga SHBA të ishullit, që u refuzua kategorikisht nga Kopenhagën.

Pse është e rëndësishme Groenlanda?

Në vitet e fundit vendi ka qenë kryefjalë e lajmeve botërore disa herë, sidomos kur Presidenti Donald Trump sugjeroi që Shtetet e Bashkuara duhet ta blinin. Danimarka nxitoi ta hidhte poshtë idenë si “absurde”, por interesi ndërkombëtar për të ardhmen e territorit ka vijuar.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •