Anëtarët e talebanëve po takohen me zyrtarë perëndimorë në Norvegji për bisedimet e para në Evropë që kur grupi mori kontrollin e Afganistanit.
Bisedimet, të cilat do të zgjasin tre ditë, do të mbulojnë të drejtat e njeriut dhe krizën humanitare në vend.
OKB-ja thotë se 95% e afganëve nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë.
Një numër protestash janë zhvilluar në Evropë me kritikët që pretendojnë se talebanët nuk duhet të shpërblehen me takimet.
Të dielën, anëtarët e talebanëve u takuan me aktivistë të të drejtave të njeriut, por detajet e këtyre diskutimeve nuk janë zbuluar.
Një aktiviste feministe, Jamila Afganistani, i tha agjencisë së lajmeve AFP se negociatorët treguan “vullnet të mirë”.
“Të shohim se si do të jenë veprimet e tyre, bazuar në fjalët e tyre”, tha ajo.
E hëna thuhet të jetë dita më e rëndësishme e bisedimeve me anëtarët talebanë që takohen me zyrtarë perëndimorë. Grupi do të kërkojë qasje në miliarda dollarë që janë të ngrira në bankat amerikane.
Afganistani ka parë rritje të papunësisë dhe çmimeve të ushqimeve, ndërkohë që vlera e monedhës së tij po bie dhe bankat kanë vendosur kufizime për tërheqjen e parave të gatshme.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se uria kërcënon 55% të popullsisë.
“Ne po kërkojmë që ata të shkrijnë asetet afgane dhe të mos ndëshkojnë afganët e zakonshëm për shkak të diskursit politik”, tha delegati i talebanëve Shafiullah Azam për agjencinë e lajmeve Associated Press.
“Për shkak të urisë, për shkak të dimrit vdekjeprurës, mendoj se është koha që komuniteti ndërkombëtar të mbështesë afganët, jo t’i ndëshkojë ata për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre politike”.