Në letrën e tij të fundit drejtuar nipit të tij Valjetit, akademiku dhe shkrimtari i ndjerë Rexhep Qosja, ka lënë amanetin e fundit që ceremonia e varrimit të tij të zhvillohet vetëm në praninë e familjarëve.
Në letër akademiku thekson se ka jetuar thjesht dhe do të varroset po ashtu, “pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës”.
“Vdes i qetë”, shkruan në letrën e fundit Qosja, duke shtuar se nuk u ka mbetur borxh Shqipërisë dhe Kosovës, të sotmes dhe ardhmërisë së tyre, pasi jetën, krijimtarinë dhe veprimtarinë politike ia ka kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies së popullit shqiptar.
Akademiku u nda sot nga jeta në moshën 89-vjeçare dhe u varros në prani të anëtarëve të familjes së ngushtë, duke respektuar kësisoj amanetin e tij të fundit.
LETRA
__________________
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja



