Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në mbledhjen e pasdites së sotme listën finale të kandidatëve për deputetë të PD-së bashkë me koalicionin që garon në zgjedhjet e 25 prillit. Lista e parë e paraqitur nga demokratët kishte 231 kandidatë, 78 më shumë sesa e përcakton ligji.
Pas debateve në mbledhje, KQZ vendosi që të miratonte listën vetëm me 153 kandidatë për zgjedhjet dhe jo 231 që kishte depozituar selia blu duke i nxjerrë jashtë garës 78 kandidatë për deputetë.
KQZ kishte çuar në Elbasan 6 kandidatë më tepër, në Dibër 3, Fier 6, Berat 6, Durrës 6, Korçë 9, Kukës 6, Lezhë 3, Shkodër 9, Tiranë 9, Vlorë 6 dhe Gjirokastër 9 emra më shumë.
Partia Demokratike reagoi pas këtij vendimi të KQZ për mosregjistrimin e plotë të listave të koalicionit duke e cilësuar një vendim të padrejtë dhe të paligjshëm, i diktuar nga interesat politike të mazhorancës.
“Pasi ndryshoi rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme, mazhoranca synon të imponojë rregulla të tjera, të cilat pamundësojnë përfaqësimin e plotë dhe të drejtë të të gjitha partive përbërëse të koalicionit tonë. Këto rregulla të njëanshme synojnë që të lënë të papërfaqësuara parti të cilat përfaqësojnë shtresa të ndryshme shoqërore dhe komunitete të caktuara, veçanërisht minoritetet”, u shpreh PD.
Kjo vendimarrje, sipas PD, si të gjitha vendimarrjet e padrejta, do të ankimohet menjëherë në të gjitha shkallët ankimore.