Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ia ka kujtuar dialogun me Serbinë, kryeministrit Albin Kurtit qysh në ditën e parë që ka marrë detyrën.
Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka thënë se BE-ja është gati të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Urime Albin Kurti në zgjedhjen tënde si kryeministër. Të uroj suksese në përmbushjen e pritjeve të mëdha të qytetarëve të Kosovës. BE-ja është gati të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar ai.
Për detyrën e kryeministrit ka uruar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell. Ai ka thënë se presin që së bashku të sjellin më afër suksesin e dialogut Kosovë-Serbi. Ai tutje ka shtuar se ky është hap kyç për të ardhmen e vendit në rrugën evropiane.
Kurti në vazhdimësi ka përsëritur se çështja e dialogut nuk është primare për të. Ai ka thënë se si çështje kryesore janë punësimi, drejtësia, menaxhimi i pandemisë e tek më vonë dialogu.