Nga Aisling Irwin
Brenda vetëm disa muajsh, kompanitë farmaceutike kanë prodhuar qindra miliona doza të vaksinës Covid-19. Por bota ka nevojë për miliarda doza, dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Kompanitë thonë se kanë mundësi të prodhojnë mjaftueshëm vaksina, për të imunizuar shumicën e popullsisë së botës deri në fund të këtij viti.
Por ky afat, nuk merr parasysh vonesat politike në shpërndarjen e tyre, si për shembull vendet që vendosin kontroll mbi eksportet, apo faktin që shumica e dozave po shkon në vendet më të pasura. Kjo situatë, po nxit një fushatë që kërkon heqjen përkohësisht dorë nga e drejta e pronësisë intelektuale, në mënyrë që prodhuesit në vendet e varfra t’i prodhojnë vetë dhe sa më shpejt vaksinat anti–Covid.
Sa vaksina mund të prodhojë bota këtë vit?
Industria farmaceutike, e përbashkët me shumë sektorë industrialë, nuk e tregon kapacitetin e saj të prodhimit, thotë Rasmus Hansen, shefi ekzekutiv i “Airfinity”, një kompani analitike me bazë në Londër që përpilon të dhënat mbi këtë industrinë. Por ai parashikon që rritja e vaksinave, ka të ngjarë të jetë “eksponenciale” gjatë muajve të ardhshëm.
Sipas të dhënave të “Airfinity”, rreth 413 milion doza vaksinash anti–Covid-19 ishin prodhuar deri në fillim të këtij muaji. Kompania parashikon që kjo shifër të arrijë në 9.5 miliardë doza në fund të këtij viti.
Një shifër edhe më e madhe u parashikua javën e kaluar në një analizë të “Global HealthInnovation Center” në Universitetin Djuk në Durham, Karolina e Veriut. Studiuesit e qendrës,grumbulluan parashikimet e bëra publike nga prodhuesit e vaksinave, duke arritur në shifrën 12 miliardë doza deri në fund të 2021-it.
Por Andrea Tejlor, që drejtoi studimin në Universitetin Duke, thotë se këto shifra ka më shumë të ngjarë që të arrihen në fundin e vitit 2022. Kjo pasi prodhimi i vaksinave, mund të kërkojë më shumë se 200 përbërës individualë, të cilët shpesh prodhohen në vende të ndryshme.
Këtu përfshihen flakonët prej qelqi, filtrat, rrëshira, etj. “Nëse ndonjë prej tyre vonohet, atëherë kjo mund të prishë të gjithë procesin”- thotë Riçard Hachet, kreu ekzekutiv i Koalicionit për Inovacionet dhe Gatishmërisë Epidemike, një organizatë jo-qeveritare me seli në Oslo të Norvegjisë.
A mund të punojnë kompanitë së bashku, për t’i prodhuar më shpejt vaksinat?
Ato po e bëjnë tashmë këtë gjë. Kështu kompania “Merck”, me seli në Nju Xhersi po prodhon vaksina për rivalen e saj “Johnson & Johnson”. Dy kompani të tjetëra të madhe GSK me qendër në Londër dhe Novartis në Bazel të Zvicrës, janë duke prodhuar përkatësisht 100 milion dhe 250 milion doza të vaksinës për llogari të kompanisë “Curevac”, me qendër në Tybingen të Gjermanisë.
Një shkallë e tillë e bashkëpunimit midis korporatave shumëkombëshe është e pashembullt.
Përveç kësaj, janë nënshkruar shumë marrëveshje të tjera. Për shembull, francezja “Sanofi”, me seli në Paris, ka një kontratë me kompaninë “BioNTech” me seli në Mainc të Gjermanisë,për të prodhuar në një fazë më të vonë 125 milion doza të vaksinës Pfizer – BioNTech.
Ndërkohë ”Sanofi”, ka një kontratë për të paketuar miliona doza të kësaj vaksine.
Por marrëveshjet më të mëdha të prodhimit janë negociuar nga “AstraZeneca”, me seli në Kembrixh të Britanisë së Madhe, e cila ka kontraktuar 25 kompani në 15 vende, për njëkapacitet prodhues për 2.9 miliardë doza. Marrëveshja më e madhe e partneritetit është me Institutin Serum në Indi, që në qershor 2020 ra dakord të prodhojë 1 miliard doza të vaksinës “AstraZeneca”.
Pse bota nuk po prodhon më shumë vaksina?
Ekzistojnë 3 tipe kryesore të vaksinës anti–Covid: ajo me vektorin viral; virusin e plotë; dhe ARN mesazhere (ARN). Vaksinat e ARN-së, përbëhen nga fijet e materialit gjenetik që kodifikojnë një proteinë të virusit, që shkakton një përgjigje imune.
Prodhimi në masë i vaksinave të ARN-së është i ndërlikuar, thotë Zoltan Kis, inxhinier kimik në “Future Vaccine Manufacturing Hub” në Kolegjin Mbretëror të Londrës. Sipas tij, kjo teknologji nuk ishte përdorur asnjëherë më parë tek vaksinat, ndaj ka një mungesë të personelit të trajnuar.
Por pengesa kryesore në prodhimin më të madh të vaksinave mRNA, është mungesambarëbotërore e përbërësve thelbësorë, veçanërisht nukleotideve, enzimave dhe lipideve.
Kjo pasi ka relativisht pak kompani që i prodhojnë këto produkte, dhe jo në numër të mjaftueshëm për furnizim global. Për më tepër, këto kompani po tregohen shumë të ngadalta në licencimin e prodhimit të tyre, në mënyrë që këtë gjë ta bëjnë edhe të tjerët.
Deri në çfarë mase po e ngadalëson qasjen në vaksinat anti–Covid mbrojtja e pronësisë intelektuale?
Duke supozuar se duhen 2 doza për çdo njeri, atëherë nevojiten rreth 11 miliardë doza për të vaksinuar 70 për qind të popullsisë së botës. Ky është numri që mund të jetë i nevojshëm për të arritur imunitetin e tufës.
Deri tani vendet me të ardhura të larta dhe të mesme, që përfaqësojnë një të pestën e popullsisë së botës, kanë blerë rreth 6 miliardë doza. Ndërkohë vendet me të ardhura të ulëta, që përfaqësojnë katër të pestat e popullsisë, kanë siguruar vetëm rreth 2.6 miliardë. Me ritme të tilla, këto të fundit mund të vaksinohen pas 2 ose më shumë vitesh.
Kjo është arsyeja pse India dhe Afrika e Jugut, janë ndër vendet që drejtojnë një fushatë për heqjen e përkohshme të së drejtës së pronësisë intelektuale të lidhur me COVID-19. JohnNkengasong, virologu që drejton Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Adis Abeba, thotë se kjo kërkesë vjen nga përvoja e epidemisë së AIDS-it.
Në vitet 1990, thotë ai, ilaçet për të trajtuar HIV-in ishin në fillim në dispozicion për vendet me të ardhura të larta, edhe pse shumica e rasteve dhe vdekjeve nga HIV ndodhnin në Afrikë. Atëherë, ashtu si tani u deshën shumë vite që ilaçet e AIDS-it të shkonin në Afrikë, thotë ai.
Por ky propozim po kundërshtohet nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe shumica e kompanive më të mëdha farmaceutike në botë. Për ta heqja dorë nga të drejtat e pronës intelektuale është e panevojshme, madje edhe e padëshirueshme.
Marrë me shkurtime nga Nature – Bota.al