Juventusi e ka mposhtur Genoan të dielën, në një ndeshje të rëndësishme për të në përpjekje për ta siguruar një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Dejan Kulusevski, Alvaro Morata dhe Weston Kenneie shënuan nga një herë për fitoren e dytë radhazi të bardhezinjve në Allianz Stadium, me Gianluca Scamacca që e shënoi një gol ngushëllues për vizitorët.
Kampioni në fuqi, që po vinte nga një fitore e rëndësishme për të ardhmen e trajnerit Andrea Pirlo të mërkurën kundër Napolit, e nisi furishëm takimin kundër Genoas.
Kulusevski e mposhti Perinin me një gol të bukur me të majtën, pasi u shërbye nga Juan Cuadrado në minutën e 4-të, para se Morata ta dyfishonte epërsinë kur shënoi nga një top i kthyer pasi Cristiano Ronaldo e qëlloi shtyllën nga dy metra në minutën e 22-të.
Scamacca i dha shpresë dhe motiv Genoas, duke e ngushtuar epërsinë e vendasve kur e fundi rrjetën me një goditje me kokë në minutën e 49-të.
Genoa bëri përpjekje të mëdha dhe ishte pranë golit të barazimit disa herë, veçanërisht kur Marco Pjaca gjuajti mbi portë nga afërsia.
Në çastet më të mira të vizitorëve, i ardhuri nga stoli, mesfushori amerikan Mckennie ia preu këmbët atyre duke e vulosur fitoren e Juves. Ai shënoi duke e paraboluar portierin Perin në minutën e 70-të.
Juventusi ngel në pozitën e tretë tani me 62 pikë, vetëm një më pak se Milani dhe 12 më pak se lideri Inter.
Napoli e ndjek nga prapa me 59 pikë, ndërkohë që Atalanta është e pesta me 58 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur.
Genoa mbetet në vendin e 13-të me 32 pikë, 10 pikë larg zonës së rënies nga liga.