Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, akuzoi me shprehjen “kolonialist” kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, i cili ka kritikuar rregulloren ligjore e cila ndalon “promovimin” për homoseksualitetin dhe ndryshimin e gjinisë tek personat nën 18 vjeç në vend.
Në fjalimin e tij javor në radion shtetërore “Kossuth Radio” të Hungarisë, kryeministri Orban ka thënë se për shkak të ligjit që u miratua në Hungari është përballur me sulme serioze në Samitin e Liderëve që u mbajt javën e kaluar, por që secilit i ka dhënë përgjigjen e merituar.
Orban e akuzoi se po vepron si kolonialist kryeministrin Rutte i cili ka deklaruar se Hungaria duhet të largohet nga BE-ja për shkak të ligjit në fjalë. “Mark Rutte mendon se vetë është në nivel më të lartë moralisht se hungarezët. Për këtë arsye e sheh të drejtë të tij të shprehë mendim se si duhet të jetojnë, mendojnë dhe se si duhet t’i rrisin fëmijët hungarezët”, u shpreh Orban.
“Organizatat e shoqërisë civile në vendet e Evropës Perëndimore mund të promovojnë në shkolla mënyrën e bashkëjetesës ndryshe nga modeli tradicional i familjes”, deklaroi Orban i cili mbrojti idenë se pjesa tjetër e Evropës përfshirë edhe vendin e tij e kundërshton këtë.
Rutter në një deklaratë më 24 qershor tha se ligji në fjalë ngatërron homoseksualitetin me pedofilinë dhe kishte thënë se Hungaria duhet të tërheqë ligjin në të kundërtën duhet të largohet nga BE-ja.
Belgjika, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Spanja, Suedia dhe Letonia reaguan ndaj ligjit në fjalë duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët më 22 qershor, bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në deklaratë mbrohet ideja se ligji i miratuar në Hungari nën emrin për të mbrojtur fëmijët, përmban diskriminim kundër homoseksualëve dhe shkel lirinë e mendimit. Gjithashtu thuhet se pranimi i dallimeve dhe mbajtja e tyre e barabartë është vlerë thelbësore e BE-së dhe nuk do të bëjnë tolerime nga kjo.