Kryeministri tajlandez, Prayuth Chan-ocha, dha zyrtarisht dorëheqje nga pozita e udhëheqësit të qeverisë ushtarake të hënën, duke thënë se shteti tash e tutje do të funksionojë si një demokraci normale pas pesë vjetësh të pushtetit ushtarak.
Megjithatë, ai do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet në postin e kryeministrit me mbështetjen e partive përkrahëse të ushtrisë dhe me kuvendin e zgjedhur nga ushtria. Sipas analistëve, kushtetuta e tanishme e dëmton demokracinë, sepse e ruan rolin politik të ushtrisë.
Prayth gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion tha se pushteti ushtarak i ka sjellë suksese Tajlandës në shumë fusha, duke nisur nga zgjidhja e problemeve të peshkimit ilegal dhe trafikimit të njerëzve, deri te shpëtimi i 12 djemve futbollistë dhe trajnerit të tyre në një shpellë të përfshirë nga vërshimet vitin e kaluar.
Ish-komandanti i ushtrisë, i cili kishte ardhur në pushtet në vitin 2014 përmes puçit, tha se intervenimi i ushtrisë në atë kohë ishte i nevojshëm për ta kthyer rendin pas gjashtë muajve me protesta dhe përleshje të dhunshme, por që gjërat iu kthyen rrjedhës normale pas zgjedhjeve të 24 marsit.
Ai tha se “Tajlanda tash është një vend plotësisht demokratik me monarki kushtetuese dhe me parlament me deputetët të zgjedhur. Të gjitha problemet do të trajtohen duke u bazuar në një sistem demokratik dhe pa përdorur fuqi të veçanta”, shkruan “Reuters”.