Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, të enjten propozoi që forcat kufitare ruse të vendosen përgjatë kufirit mes vendit të tij dhe Azerbajxhanit pas rritjes së tensioneve mes dy ish-republikave sovjetike.
Armenia dhe Azerbajxhani të enjten e akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin e Rusisë, ndonëse një ditë më parë, të dyja palët u pajtuan që t’i ndërpresin përleshjet e armatosura në kufirin e kontestuar.
“Duke e marrë parasysh situatën e tanishme, mendoj se ka kuptim që të shqyrtohet çështja e vendosjes së pikave të kontrollit të rojave kufitare ruse përgjatë tërë kufirit Armeni – Azerbajxhan”, citohet të ketë thënë kryeministri armen në një takim të kabinetit qeveritar.
Ai shtoi se vendi i tij është duke u përgatitur për ta diskutuar këtë propozim me Moskën dhe se veprimi do ta mundësonte kryerjen e punëve për demarkimin e kufirit pa rrezikun e përleshjeve ushtarake, shkruan Reuters.
Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha më herët se forcat azere kanë hapur zjarr ndaj pozicioneve armene në kufi në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, duke e nxitur Armeninë që të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se forcat armene kanë hapur zjarr me mitraloza dhe granatahedhës në drejtim të një fshati të rajonit Kelbajar si dhe kanë hedhur granata dore. Në deklaratë thuhet se forcat azere u kundërpërgjigjën me zjarr.