Një komando afgan i forcave speciale u arrestua nga policia e armatosur në një hotel në Mançester të Anglisë, ku ishte karantinuar me familjen.
Gazeta Daily Mail shkruan se aksioni u krye në orët e para të mëngjesit. Ende nuk dihet nëse ndaj tij është ngritur ndonjë akuzë.
Por gazeta shkruan se arrestimi ngre pikëpyetje për cilësinë e vetingut ndaj rreth 8 mijë afganëve që kanë mbërritur në Britaninë e Madhe.
Lajmi vjen në kohën kur SHBA deklaroi se të paktën 44 afganë të evakuuar në këtë vend shihen si rrezik për sigurinë kombëtare. Më shumë se 60 mijë afganë janë evakuuar drejt Amerikës.
Më herët, gazeta gjermane BILD ka raportuar se mes personave të evakuuar në Gjermani ka edhe persona të dënuar për krime të rënda.
Gazeta ka publikuar emrat e disa prej tyre, të dënuar për përdhunim dhe pedofili.