Pas betejës elektrizuese deri në javën e fundit për titullin kampion në futbollin anglez, Liverpul dhe Mançester Siti do ta rinisin aty ku e lanë, por me ndryshimin e vetëm se mes tyre, do të dorëzohet menjëherë një trofe.
Kampionët e Evropës do të përballen me kampionët e Anglisë në Superkupën vendase, një ndeshje që ka zgjuar kërshërinë e tifozëve në garë për një biletë në stadiumin Uembli të dielën.
Liverpool ka vuajtur një fazë përgatitore katastrofike duke humbur 3 nga 6 miqësoret parasezonale. Mbrojtja që ishte krenaria e Reds, e që i shpalli kampionë të kontinentit, tani i përngjan shpesh një rreshtimi amator, të cilën armata e trajnerit Pep Guardiola nuk mund ta falë.
Për Reds do të mungojë Mane, që u impenjua në Kupën e Kombeve, ndërsa Xherdan Shaqiri është në dyshim prej një dëmtimi.
Në kampin tjetër Mancester Siti pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë, blerjen e re Rodri. Trajneri Guardiola me gjasë do të vendosë bast te formacioni më i fortë të dielën, njësoj siç bëri me Celsin në vitin 2018, kur në lojë ishte i njëjti trofe.
E veçanta e kësaj përballje është se do të lejohen nga 6 zëvendësime për secilën skuadër, e me Klop dhe Guardiolën në pankinat respektive, është thuajse e sigurt se çdo mundësi ndërrimi do të ezaurohet para fundit të kohës së rregullt./TCh/