11 persona kanë humbur betejën me koronavirusin në 24 orët e fundit, sipas raportit ditor të Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuar të shtunën. Për këtë periudhë janë regjistruar edhe 259 raste të reja nga testimi i 6630 testimeve. Sot janë regjistruar edhe 850 të shëruar duke e ulur numrin e rasteve aktive në 11 mijë e 862.
Siç njoftohet në raportin ditor, një i vdekur është i grupmoshës 40-49 vjeç, tre të grupmoshës 50-59 vjeç, dhe nga një i grupmoshave 60-69 dhe 70-79, dhe pesë më të moshuar se 80 vjeç.
Në shifra totale, nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 158 mijë e 934 raste pozitive. Nga ta 2889 kanë humbur jetën, ndërsa janë shëruar 144 mijë e 183 persona.
Ndërkaq sa i përket procesit të vaksinimit, deri tash janë administruar rreth 1.16 milionë doza. Prej tyre rreth 434 mijë qytetarë i kanë marrë nga dy doza (rreth 868 mijë doza). Me nga një dozë deri tash janë vaksinuar edhe 291 mijë qytetarë të tjerë.