Fituesi i zgjedhjeve në Gjermani dhe ai që pritet të bëhet kancelar i ri i këtij shteti, Olaf Scholz, ia ka gjetur “diagnozën” një problemi me të cilin po përballet Britania e Madhe – krizën me karburante.
Sipas politikanit gjerman, vendimi për t’i dhënë fund lirisë së lëvizjes me Evropën pas Brexit-it është arsyeja e krizës me karburante në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Scholz tha se shpreson që kryeministri britanik, Boris Johnson, do të mund të përballet me pasojat e largimit të vendit të tij nga Bashkimi Evropian. “Lëvizja e lirë e punës është pjesë e Bashkimit Evropian dhe ne kemi punuar fort për t’i bindur britanikët për të mos u larguar nga blloku”, tha ai.
“Tash ata vendosën ndryshe dhe shpresoj që do t’i menaxhojnë problemet që vijnë prej kësaj, sepse mendoj që vazhdimisht është ide e rëndësishme që të gjithë ne ta bëjmë të ndodhë që të kemi raporte të mira mes BE-së e Britanisë, por ky është problem për t’u zgjidhur”, tha Scholz.Reklamë
Disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, kanë mungesë të gjatë të shoferëve të kamionëve. Shtetet më të prekura janë Polonia (i mungojnë 124.000 vozitës kamionësh) dhe Gjermania (i mungojnë 45.000 deri 60.000 vozitës kamionësh).
Por, ndryshe nga Britania, vendet e BE-së janë mbështetur te shtetasit e vendeve fqinje për t’i plotësuar mungesat, prandaj i kanë shmangur problemet si vitrina të zbrazura në dyqane e paniku i blerjes në pompa të benzinës.