Autoritetet në Britaninë e Madhe po monitorojnë nga afër një mutacion të variantit Delta të Covid që po shkakton një numër në rritje të infeksioneve. Delta është varianti mbizotërues në vend, por të dhënat zyrtare të fundit sugjerojnë se 6 për qind e rasteve të reja me Covid janë të një varianti të ri virusi.
“AY.4.2”, që disa studiues e quajnë “Delta Plus”, përmban disa mutacione që mund t’i japin avantazhe përballë vaksinës dhe kurave të tjera që po përdoren për të luftuar Covid.
Autoritetet thonë se testet janë duke u zhvilluar për të kuptuar se sa kërcënim mund të paraqesë. Gjithsesi, ekspertët qetësojnë duke deklaruar se mundësitë që ky variant të përhapet në masë dhe t’u shpëtojë vaksinave janë të vogla.
“Delta Plus” ende nuk është kategorizuar si variant shqetësues, apo variant nën hetim, por po mbahet nën vëzhgim për çdo të papritur.
Ka me mijëra lloje të ndryshme – ose variante – të Covid që qarkullojnë në të gjithë botën. Viruset pësojnë mutacion gjatë gjithë kohës, kështu që nuk është për t’u habitur të shohim daljen e versioneve të reja.
Delta fillestare u klasifikua si një variant shqetësues në Britaninë e madhe në maj 2021 pasi kapërceu variantin Alpha për t’u bërë lloji mbizotërues i Covid në qarkullim. Por në korrik 2021 ekspertët identifikuan AY.4.2.
Kjo degë, ose nënlinjë e Delta është rritur ngadalë që atëherë. Ai përfshin disa mutacione të reja që ndikojnë në proteinën, të cilën virusi e përdor për të depërtuar në qelizat tona. Deri më tani, nuk ka asnjë indikacion se është më i transmetueshëm si rezultat i këtyre ndryshimeve, por është diçka që ekspertët po studiojnë.


