Ndonëse ende nuk e ka siguruar pjesëmarrjen, përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini shpreson se Italia mund ta fitojë Botërorin e vitit të ardhshëm.
Kampionia e Evropës, Italia, të hënën barazoi pa gola me Irlandën e Veriut dhe do të luajë në plejof për kualifikim në Botëror.
Zvicra është kualifikuar direkt nga grupi i Italisë.
“Nuk mund të bëjmë asgjë tani. E kemi ndeshjen në mars dhe do të mundohemi të japim më të mirën”, ka thënë Mancini për Rai Sport.
“Në këtë moment po vuajmë që të shënojmë gola, ndonëse po dominojmë në posedim dhe po e kemi iniciativën. Irlanda e Veriut u vendos në mbrojtje dhe dështuam ta thyejmë atë. Është mëkat pasi është dashur ta fitojmë grupin shumë më herët. Kemi humbur dy penallti në ndeshjeve vendimtare dhe kjo tregon se kishim raste për të fituar”, ka shtuar selektori italian.
Pos dy barazimeve me Zvicrën, Italisë i ka kushtuar edhe një barazim me Bullgarinë.
“Tani përgatitemi për mars dhe shkojmë në plejof me vetëbesim. Do ta prejmë biletën për Botëror në mars dhe shpresojmë se do ta fitojmë këtë turne”, ka thënë Mancini.