Cristiano Ronaldo edhe zyrtarisht do të largohet nga Manchester Unitedi në fund të sezonit nëse ekipi nuk i garanton yllit portugez pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve edicionin tjetër, ka raportuar të mërkurën “The Sun”.
Ronaldo 36-vjeçar u rikthye në “Old Trafford” në fillim të këtij edicioni duke rritur shpresat se Manchester Unitedi do të mund ta fitojë titullin e parë të kampionit në Premier League pas largimit të Sir Alex Fergusonit. Megjithatë, Unitedi pati një kampanjë të dobët dhe aktualisht zë vendin e shtatë në Premier League me 32 pikë, pesë më pak se West Hami që është i katërti dhe ka dy ndeshje të zhvilluara. Bëhet e ditur se agjenti i Ronaldos tashmë ka biseduar me krerët e Unitedit për ta sqaruar situatën e klientit të tij. Në fakt, ai ka folur me Richard Arnoldin që muajin e ardhshëm do ta marrë detyrën e shefit ekzekutiv në klub. Mësohet se palët kanë arritur marrëveshje në parim se Ronaldo mund të largohet nga Manchester Unitedi në fund të këtij sezoni nëse ekipi nuk siguron një vend që dërgon në Champions. Portugezi, i cili muajin tjetër mbush 37 vjet, është i bindur se mund të luajë në nivelin më të lartë deri në moshën 40-vjeçare, por dëshiron që karrierën ta mbyllë si fitues.
“Cristiano Ronaldo do të largohet nga Unitedi nëse sezonin tjetër nuk luan në Ligën e Kampionëve. Kjo është marrëveshja që portugezi e ka arritur pas takimit me drejtuesit e klubit”, ka shkruar “The Sun”.
Në të vërtetë, Ronaldo gjatë javës së shkuar paralajmëroi një gjë të tillë kur në një intervistë bëri të ditur se te Manchester Unitedi është rikthyer për të luajtur në Champions dhe për të pasur suksese. Madje, ai shtoi se pozita që e dërgon Unitedin në Ligën e Evropës sezonin tjetër është e papranueshme për të.
“Nuk dua të jem këtu për të qenë në vendin e gjashtë, apo të shtatë, apo të pestë. Unë jam këtu për të provuar të fitoj, për të konkurruar”, ishin fjalët e Ronaldos.
Ronaldo firmosi kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit me bindjen se Unitedi kishte ekip për të synuar trofetë në të gjitha frontet. Mirëpo, ai thuhet se ka mbetur tejet i zhgënjyer me atë që ekipi ka treguar deri më tani. Ai është golashënuesi më i mirë në ekip, me 14 gola e tre asistime në 22 paraqitje në të gjitha garat. Po ashtu, thuhet se Ronaldo është i tronditur nga mungesa e intensitetit në qendrën stërvitore “Carrington” në krahasim me atë që ishte mësuar gjatë kohës së tij te Manchesteri (2003-2009) para se të largohej për të vazhduar karrierën te Real Madridi dhe pastaj Juventusi.
“Mungesa e intensitetit ka bërë që Ronaldo të ndihet një figurë e frustruar në klub dhe për këtë arsye nuk dëshiron të qëndrojë nëse nuk luan në Ligën e Kampionëve”, ka vazhduar “The Sun”.
Për këto gjëra, portugezi është ankuar edhe te trajneri i përkohshëm, gjermani Ralf Rangnick që e zëvendësoi Ole Gunnar Solskjaerin e shkarkuar. Ai ka mbetur i habitur me faktin se është lojtari i vetëm që qëndron për të punuar në përgatitjen fizike pas stërvitjeve, derisa askush tjetër nuk i bashkohet. Gjithashtu, Ronaldo është ankuar edhe për faktin se është futbollisti i vetëm që shkon në palestër për të bërë punë shtesë para dhe pas stërvitjes në tentim për ta ndihmuar klubin që të futet në mesin e katër skuadrave të para në Premier League.