Gëzimi në Senegal pas triumfit të përfaqësueses në Kupën e Afrikës për herë të parë në histori ka qenë afër ekstazës. Ai është përhapur përtej kryeqytetit të Dakarit edhe në komunitetet senegaleze në SHBA, saktësisht Harlem në New York. Pas fitores ndaj Egjiptit, Kalidou Koulibaly, Sadio Mane dhe shokët e tyre të skuadrës u trajtuan me një pritje madhështore në shtëpi, të ndihmuar nga shpallja e një feste publike të hënën pas finales.
Por përveç vullnetit të mirë të turmave të gëzueshme që brohoritën për lojtarët teksa parakalonin nëpër rrugë me autobus të hapur, presidenti i Senegalit, Macky Sall, shpalli tri shpërblime për të gjithë delegacionin e lojtarëve dhe të stafit që ndihmuan në arritjen historike në Kamerun. Senegali do të marrë pesë milionë dollarë si shpërblim zyrtar nga Konfederata e Futbollit të Afrikës (CAF) për suksesin në Kupën e Afrikës. Por, presidenti Sall tha se “lojtarët dhe anëtarët e tjerë të delegacionit zyrtar do të marrin secili nga një bonus special prej 87 mijë dollarësh dhe një truall prej 200 metrash katrorë në Dakar”.
Ata gjithashtu do të nderohen me çmimin “Oficerë të Madh të Urdhrit Kombëtar të Luanit”, nderi më i lartë i Senegalit. Përfaqësuesja e Senegalit në Kupën e Afrikës kishte disa nga lojtarët më të mirë në botë në pozitat e tyre, përfshirë Edouard Mendyn, të cilin FIFA së fundmi e shpalli portierin më të mirë në botë. Në fakt, lojtarët senegalezë që bëjnë karrierë në klubet elitare të Evropës paguhen mirë në krahasim me pagën minimale të Senegalit prej 36 centë në orë. Ylli i Senegalit, Mane, i cili u bë golashënuesi më i mirë në vend i të gjitha kohërave, fiton 100,000 funte në javë në Liverpool, që është ekuivalenti i dhuratës së presidentit Sall.
Por jo çdo anëtar i ekipit fiton aq sa Mane dhe gjesti i presidentit senegalez nuk synon gjithsesi pasurimin e lojtarëve. Në vend të kësaj, është më shumë një njohje e këmbënguljes së treguar nga skuadra nën drejtimin e Aliou Cisses, ndaj trajnerit 45-vjeçar të Senegalit që nga viti 2015.
Cisse ishte kapiten i Senegalit në vitin 2002 dhe humbi penalltinë e fundit në finalen e parë të Kupës së Afrikës kundër Kamerunit. Ai ishte lider pasi arritën në fazën çerekfinale në Kupën e tyre të parë të Botës më vonë atë verë dhe, si trajner, e udhëhoqi ekipin në vendin e dytë të Kupës së Afrikës në vitin 2019. Si një nga trajnerët lokalë të shquar të kontinentit, historia e tij është e jashtëzakonshme për shkak se Cisse ka besuar se mund ta bëjë Senegalin kampion të Afrikës. Përveç parave të gatshme, tokës dhe nderimeve për ekipin, një copë toke prej 500 metrash katrorë do të ndahet për të përkujtuar fitoren në Kupën e Afrikës në Diamniadio.
Është një vendbanim jashtë Dakarit që po ribëhet në një qytet modern prej dy miliardë dollarësh me një rrjet të gjerë hekurudhor dhe park industrial, si pjesë e agjendës së Senegalit për zhvillim. Ndërkohë që afati kohor për të përfunduar Diamniadio është viti 2035, një stadium shumëfunksional me kapacitet prej 50 mijë ulëseve që kushtoi mbi 200 milionë dollarë, do të hapet në qytet më vonë këtë muaj.