Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës të shtunën vazhdoi t’u bëjë thirrje qytetarëve të saj të qëndrojnë të qetë dhe konfirmoi “pozitën e saj të fortë” kundër Rusisë, pasi disa vende paralajmëruan qytetarët e tyre të largoheshin nga vendi në mes të mundësisë së afërt të pushtimit.
“Për momentin është kritike të qëndrojmë të qetë, të qëndrojmë të bashkuar dhe të konsoliduar brenda vendit dhe të përmbahemi nga veprimet që cenojnë stabilitetin dhe mbjellin panik”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës.
“Forcat e Armatosura të Ukrainës po monitorojnë vazhdimisht zhvillimet dhe janë të gatshme të zmbrapsin çdo sulm ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës”, thuhet po ashtu në deklaratë.
Të enjten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, së bashku me Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, bëri një “analizë të plotë të situatës aktuale të sigurisë dhe veprimeve të mëtejshme të Ukrainës”, duke vënë në dukje se vendi ka “forcuar më tej kapacitetin e tij për të mbrojtur sigurinë e shtetit dhe qytetarëve”.




