Rreziku i luftës në Ukrainë ka bërë që çmimet e karburanteve të arrijnë pranë niveleve të larta të krizës financiareve botërore që nisi në vitin 2008, që goditi rëndë edhe Eurozonën.
Prej fillimit të Shkurtit, çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare këtë të hënë shënoi nivelin më të lartë të 8 viteve të fundit, 94 dollarë për fuçi.
Në nivelet më të larta të 8 viteve të fundit mbetet edhe çmimi i gazit. Pasiguritë për krizën ukrainase janë pasqyruar edhe në tregjet ndërkombëtare.
Vlera e aksioneve në sektorin e energjisë ra me të paktën 1.3%, pasi në këtë krizë përfshihet si faktor edhe Rusia, një prej prodhuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit.
Probleme edhe në tregjet e aksioneve. Vlera e përgjithshme e aksioneve në bursat europiane ra me 2.7%, më e ulëta që prej 24 Janarit.
Rënie më të theksuar pësuan bursat në Gjermani me 3.6%. Ekspertët thonë se luhatjet mund të japin të tjera goditje me ndikim tek rritja e çmimeve të mallrave të konsumit.