Gjykata e Tiranës ka regjistruar ndryshimet e Lulzim Bashës në statutin e Partisë Demokratike të miratuara në Kuvendin e 17 korrikut të vitit 2021.
“Gjykata vendosi:Pranimin e kërkesës së palës kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Depozitimin e statutit dhe vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë i datës 17.07.2021”.
Ndryshimi i rregullave të funksionimit të Partisë Demokratike u propozuan si një zgjidhje për krizën brenda saj, pas humbjes në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe rizgjedhjes së Bashës në krye të partisë në një proces të kontestuar nga kundërshtarët e tij në parti.
Kuvendi Kombëtar i PD miratoi ndryshimet në Statutin e Partisë, që ishin propozime të kreut Lulzim Basha. Ai propozoi 11 ndryshime, duke përfshirë zgjerimin e kryesisë me të tjerë anëtarë dhe shtimin e numrit të sekretarëve.
Kryedemokrati krijoi edhe Këshillin Koordinues të Qarkut për organizimet elektorale. Basha nuk kishte asnjë propozim në lidhje me mandatin e kryetarit.
Gjykata e Tiranës ka regjistruar ndryshimet e Lulzim Bashës në statutin e Partisë Demokratike të miratuara në Kuvendin e 17 korrikut të vitit 2021.