Era e fortë që ka goditur territorin e Krasnoyarskut ka dëmtuar shumë linja elektrike dhe ka shkaktuar qarqe të shkurtra elektrike që duket se janë shkak i zjarreve të mëdha në Siberi.
Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 200 ndërtesa kanë marrë zjarr, sipas agjencisë së lajmeve Tass.
Në zonë kanë marrë zjarr edhe shumë biznese, që merren me prerjen e drurit, por edhe një kopsht fëmijësh dhe ndërtesa banimi.
Zyrtarët rajonalë fajësojnë erën e fortë për situatën kritike dhe guvernatori i rajonit ka shpallur gjendjen e emergjencës.
Në zonat ku janë verifikuar zjarret, janë hapur edhe qendra pritjeje të përkohshme për qytetarët dhe po bëhet evakuimi i njerëzve në zonat më të rrezikuara.
Më herët, ministria për situatat e emergjencave tha se rreth 200 ndërtesa, disa biznese etj, ishin përfshirë nga flakët dhe druhet se bilanci mund të rëndohet më shumë.