Një shtetas amerikan vdiq së fundmi në Ukrainë. Kështu ka konfirmuar një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Ai ka shtuar se zyrtarët janë në kontakt me familjen dhe po ofrojnë ndihmë konsullore, raporton skynews.
“Ne ritheksojmë se qytetarët amerikanë nuk duhet të udhëtojnë në Ukrainë për shkak të konfliktit aktiv të armatosur dhe arrestimit të qytetarëve amerikanë në Ukrainë nga zyrtarët e sigurisë së qeverisë ruse”, thotë zyrtari amerikan.
Gjithashtu bëri sërish thirrje se qytetarët amerikanë duhet të largohen menjëherë nëse është e sigurt për ta bërë këtë duke përdorur çdo mjet.
Ky është të paktën shtetasi i tretë amerikan që vdes në shtetin ukrainas. Stephen Zabierslki u vra në muajin maj dhe veterani i Marinës, Willy Cancel u vra në muajin prill, raporton cnn.
Ndërkohë, dy vullnetarë amerikanë që luftojnë për Ukrainën janë arrestuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Donetsk. Shtetasit amerikanë Alexander John-Robert Drueke, 39 vjeç, nga Tuscaloosa, Alabama, dhe Andy Tai Ngoc Huynh, 27 vjeç, nga Hartselle, Alabama, kishin luftuar së bashku me forcat ukrainase në veri të Kharkiv përpara se të kapeshin.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë së fundi rreth tre miliardë euro ndihmë ushtarake për forcat ukrainase në luftën kundër pushtuesve rusë.