Nga Telegrafi.com
Nuk ka ditë që në raportin e Policisë e Kosovës nuk gjen raportime për dhunë fizike, psikike e seksuale ndaj grave.
Por të hënën shoqëria kosovare u trondit nga dhunimi që iu bë një të miture të shtunën në një park në Prishtinë nga pesë persona, disa të mitur e disa tjerë jo.
Në njoftimin e fundit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur katër të dyshuar janë arrestuar, ndërsa janë në kërkim të personit të pestë.
Policia: Katër persona të dyshuar për rastin e dhunimit janë arrestuar, jemi në kërkim të personit të pestë
Policia e Kosovës në njoftimin për media ka bërë të ditur se lidhur me rastin e dhunimit deri në këtë fazë ka arrestuar gjithsej katër persona, ndërkaq personi i pestë është identifikuar dhe është kërkuar në shtëpinë e tij por nuk është gjetur në shtëpi.
Policia e Kosovës njofton se i njëjti ndodhet në kërkim policor.
Në raportin paraprak të Policisë, është bërë e ditur se viktima është dërguar në strehimore dhe organet shtetërore po merren me trajtimin e saj.
Një muaj paraburgim ndaj dy personave që dyshohen për dhunim
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj dy personave se së bashku me tre të tjerë dhunuan një të mitur gjatë së shtunës.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe Departamenti për të Mitur kanë vendosur lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.
Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit dhe të miturit, ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që të njëjtit do t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe të falsifikojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në njoftim.
Personat e arrestuar dyshohet se të shtunën nga ora 17:30 deri në orën 00:30 kanë dhunuar një të mitur.
Dosja e Prokurorisë: 11-vjeçarja u dhunua në park përderisa ishte duke ecur
Në një park të kryeqytetit një vajzë e re 11-vjeçare përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht nga disa persona.
Kështu përshkruhet në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com. Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.
Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.
Dosja e organit ndjekës tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.
Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.
Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.
Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.
Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.
Dhunimi që tronditi Kosovën, reagime të ashpra nga politika e shoqëria civile
Presidentja Vjosa Osmani, dhunimin e 11-vjeçares e ka konsideruar akt çnjerëzor.
“Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, ka shkruar Osmani.
Kryeministri Albin Kurti nga organet e rendit ka kërkuar që të vënë para drejtësisë personat e dyshuar.
“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryerësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme”, ka shkruar ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur i tronditur nga rasti.
“Nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri! Prandaj, si Kryetar i Kryeqytetit, zotohem se do të punojmë për ndërtimin e mekanizmave që rrisin bashkëpunimin mes komunitetit dhe organeve të rendit, në mënyrë që bashkë t’i parandalojmë rastet e tilla dhe të ofrojmë mbështetje për të gjithë viktimat”, tha Rama.
Mirëpo ka pasur raste kur deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar edhe rikthimin e dënimit me vdekje.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se pas këtij rasti të rëndë ai është “pro” rikthimit të dënimit me vdekje.
Pas rastit makabër ndaj vajzës 11 vjeçare. Pyetja është: A duhet të kthehet dënimi me vdekje? Unë them se PO”, ka vijuar Haxhiu.
Ndërkaq, avokati Arianit Koci thotë se, nga rrethanat që po përshkruhen në media dënimi maksimal mund të jetë burgim i përjetshëm.
“Pa e paragjykuar fajësinë, po ju tregoj që për personat mbi moshën 18 vjeçare, me rrethanat që po paraqiten në media se si është kryer vepra penale e dhunimit ndaj vajzës 11 vjeçare – dënimi minimal është 15 vjet. Dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm”, ka shkruar Koci në Facebook.
E për rastin e rëndë në Prishtinë është paralajmëruar edhe protestë.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të mërkurën do të protestojnë dhe kanë tri kërkesa.
Protesta do të nisë në orën 12:00 te sheshi “Zahir Pajaziti”. Ndërsa, aty do të kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit, si dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se liderët politikë është dashur të reagojnë më moti për fenomenin e përdhunimeve.
“Rastet e sulmeve dhe dhunës ndaj vajzave e grave janë rritur eksponencialisht sepse asnjë institucion qysh moti s’po e kryen punën si duhet për t’a ndërprerë këtë fenomen. Dënimet qesharake e trajtimi joserioz i këtij problemi, veç i ka ‘trimëruar’ kriminelët’, ka shkruar Cakolli.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar publikimin e emrave të të dyshuarve për dhunimin e një 11-vjeçareje në Prishtinë.
Ajo ka thënë se një praktikë e tillë ekziston edhe ne SHBA.
Të martën mblidhet Grupi i Përgjigjes Emergjent për rastin e dhunimit së 11-vjeçares në Prishtinë
Deputetja e LVV-së, Tinka Kurti ka deklaruar se të martën në mëngjes mblidhet Grupi i Përgjigjes Emergjent për rastin e rëndë të dhunimit së 11-vjeçares në Prishtinë.
Ajo tha se gjithçka duhet të jetë me urgjencë.
“Nesër në mëngjes mblidhet Grupi i Përgjigjes Emergjent për rastin e rëndë të dhunimit. Gjithçka duhet të jetë me urgjencë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për institucionet dhe shoqërinë tonë se siguria e vajzave. Mllefin duhet ta kthejmë në drejtësi. Asnjë vajzë më. Asnjë. Bash asnjë. #Asnjëmë”, shkroi ajo në Facebook.