Gjatë një tubimi elektoral në Prishtinë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, të dielën në mbrëmje, i ka dhënë përkrahje kandidates për kryeministre, Vjosa Osmani dhe ka përjashtuar çdo mundësi të koalicionit paszgjedhor me PDK-në.
“Dua ta përsëris atë që e ka thënë në vazhdimësi kandidatja jonë për kryeministre, Vjosa Osmani, që s’ka koalicion me PDK-në. Unë e vërtetoj dhe e përkrahë këtë qëndrim të partisë. Në LDK nuk ka asnjë njeri që parapëlqen koalicion me PDK-në. Prandaj kjo është punë e përfunduar”, ka thënë Mustafa, përcjell LDK-ja me një kumtesë për media.
Sipas kreut të LDK-së, zyrtarët e PDK-së po “brengosen dhe po qajnë pse LDK-ja po shkon në koalicion me Vetëvendosjen”.
“Ata do të flasin çdo ditë, do të thonë çdo ditë, por koalicioni me PDK-në nuk do të bëhet kurrë”, shtoi Mustafa.
Ai tha se LDK-ja dhe kryeministrja e ardhshme Osmani do ta qeverisim vendin, sepse e ka përkrahjen e plotë të partisë, anëtarësisë dhe qytetarëve.
Kryetari i LDK-së ka thënë se këtë subjekt politik e ka mbajtur të bashkuar “rruga jonë politike, sepse jemi partia më e mirë, më e madhja, më e forta, më e suksesshmja, e cila do t’i fitojë bindshëm zgjedhjet e 6 tetorit”.
Mustafa tha se sikur në vitin 2017 qytetarët e Kosovës të votonin për Lidhjen Demokratike, sot Kosova do ta kishte më të fortë miqësinë me SHBA-në dhe BE-në, do të kishte më shumë vende pune, do të kishim liberalizim të vizave dhe nuk do të kishim keqpërdorimin enorm të parasë publike.
“Ky gabim nuk duhet të përsëritet. Me votën për LDK-në dhe Vjosa Osmanin më 6 tetor, Kosova do ta ketë një qeveri që e meriton”, shtoi Mustafa.
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani tha të dielën në një tubim elektoral në Degën II të Prishtinës, se nuk ka asgjë që e ndalë fitoren e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, por kërkoi nga prishtinasit që të kontribuojnë që fitorja të jetë e thellë dhe bindëse.
“Kryetari i Prishtinës mund t’u ketë harruar, por kryeministrja juaj nuk ka për t’ju harruar. Në do të fitojmë bindshëm në nivelin qendror, për të fituar pas dy vjetësh edhe në Prishtinë”, tha Osmani.
Ajo ka paralajmëruar oponentët politikë se nuk mund t’i ikin drejtësisë për shpifjet dhe montazhet e tyre në këtë fushatë.
“Oponentët tanë të frikësuar nga vullneti qytetar për LDK-në, po tentojnë ta blejnë vullnetin qytetar, e disa po prodhojnë mashtrime e lajme të rrejshme, po bëjnë montazhe e çka jo tjetër. Por nuk ka qytetar të këtij vendi që mashtrohet nga ta, prishtinasit nuk mashtrohen më as prej montazheve, as lajmeve të rrejshme. Ne kemi vendosë t’i përbuzim të tillët, por le ta dinë një gjë të gjithë, ata që po prodhojnë montazhe e lajme të rreme, se do të përgjigjen para ligjit. Le ta dinë që duke shpifur nuk mund ta fitojnë besimin qytetar”, shtoi Osmani.
Sipas saj, ata që po e kritikojnë për mungesë guximi janë vetë frikacakë.
“Patriotë modernë është ai që krijon një vend pune, e jo ata që dalin rrahin gjoks e tregojnë muskuj. Sikur të ishin patriotë, nuk do të iknin nga përgjegjësia e udhëheqjes së bisedimeve në Bruksel duke ia lënë fatin e Kosovës në duar presidentit Thaçi. Po të ishin të guximshëm këta që janë në Prishtinë nuk do të thoshin se janë frikësuar që t’i ndalin ndërtimet pa leje, e nuk do të frikësoheshin të vendosin lule te varri i presidentit Rugova”, tha në fund Osmani.