Elon Musk e ka të qartë qëndrimin e tij politik në SHBA dhe një thirrje ia ka bërë edhe popullit amerikan: Votoni republikanët.
Kështu ka shkruar multimiliarderi amerikan në median e tij sociale Twitter, lidhur me votimet e nesërme për Kongres, në SHBA.
Sipas Musk, duke qenë se Presidenca është në duart e demokratëve, pushteti duhet ndarë dhe Kongresi duhet të shkojë për republikanët.
Këtë rekomandim e ka ai për votuesit.
“Votuesit e zjarrtë demokratë dhe republikanë nuk votojnë ndonjëherë për palën tjetër. Ndaj, thirrja ime shkon për votuesit e pavarur, të cilët edhe vendosin konkretisht se kush do të marrë në dorë pushtetin”, shkruan Musk.
Këtë qëndrim ai e mban fill pasi ka qenë në qendër të vëmendjes për blerjen e medias sociale Twitter, për shumën e 44 miliardë dollarëve, ku një çështje me shumë zë ishte edhe ajo e pushimit nga puna të gjysmës së stafit.
Megjithatë, Musk ka qenë gjithnjë i përfshirë në politikë me komentet e tija, ku herë ka mbajtur qëndrim për demokratët e herë për republikanët.
Kohët e fundit, ai ka qenë më së shumti i rreshtuar për nga kampi i kuq republikan, për shkak edhe të politikave të administratës Biden me taksimin dhe zhvillimet e pandemisë COVID-19.