Rusia dhe Bjellorusia pritet që të mbajnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në mes të janarit. Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes në vend.
Po ashtu, në njoftim shtohet se në stërvitje do të përfshihen divizionet e ajrit nga të dyja vendet. Pritet që stërvitja të nisë më 16 janar dhe të përfundojë më 1 shkurt.
Në deklaratë thuhet po ashtu: “Sot, një komponent i aviacionit nga forcat ushtarake të Federatës Ruse mbërriti në Republikën e Bjellorusisë. Gjatë stërvitjes taktike për fluturime do të përfshihen të gjitha fushat ajrore dhe terrenet stërvitore të forcave ajrore dhe të mbrojtjes ajrore të forcave të armatosura të Bjellorusisë.”
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që ushtarët rusë zhvendosen në Bjellorusi për t’u stërvitur ndërkohë që lufta, e nisur në shkurt të vitit të shkuar në Ukrainë, vijon.