Ministri britanik i Emigracionit, Robert Jenrick në Britani bëri një deklaratë nga ambientet ku kryen procedurat e kthimit të emigrantëve shqiptarë ilegalë ku gjithashtu u shpreh se ‘oficerët po i kërkojnë kudo shqiptarët, do ti gjejnë, do ti kapin dhe me autobusë do ti nisin në aeroport dhe do të ri-atdhesohen’.
Kjo deklaratë e tij ishte postuar në llogarinë e tij në Twitter ku 90% e komenteve ishin në kundërshtim me deklaratën e tij, dënonin gjuhën e tij si dhe akuza të shumta për karrierën politike të tij duke e akuzuar edhe si njeri i korruptuar.
Një ditë me vonë Olta Xhaçka ministrja për Europën (a thua se për kontinentet e tjerë duhen ministra të tjerë) dhe e Punëve të Jashtme të Shqipërisë bëri një deklaratë në profilet e saj në mediat sociale duke e cituar; ‘Tej mase e tronditur kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për emigracionin të përdorë një gjuhë të tillë vetëm për disa vota: Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin! Një linçim verbal ndaj një kombi të tërë, në një gjuhë që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas Komunikatës së Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Britanisë së Madhe , ku vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britani dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturë, ekonomi dhe shoqërinë e të dy vendeve. Veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm!’.
Olta u trondit kur dëgjoi gjuhën e Ministrit Jenrick, por nuk e kam dëgjuar asnjëherë të tronditet për 12 mijë shqiptarë që kaluan kanalin me gomone duke rrezikuar jetën e tyre, nuk u trondit as nga lajmi që një gomone po mbytej dhe në të ishte një shqiptar i konfirmuar, por mund të ketë dhe më shumë, pra as edhe në prag tragjedie Olta nuk u trondit.
Olta u trondit kur dëgjoi gjuhën e ministrit Jenrick kur fliste për të kthyer emigrantët shqiptar mbrapsht. Por Olta duhet të di se Qeveria që ajo bën pjesë ka një marrëveshje për kthimin e emigrantëve shqiptar dhe këtë e ka konfirmuar vetë Kryeministri Rama që kur ishte Boris Johnson ministër i Jashtëm i Britanisë.
Më pas janë zhvilluar takime midis palëve dhe të gjitha marrëveshjet janë firmosur ashtu siç kanë kërkuar Britanikët. Pra asnjëherë pala jonë nuk ka kërkuar legalizimin apo dhënien e një leje qëndrimi të përkohshme për shqiptarët. Dhe marrëveshja është që të kthehen të gjithë, pra ministri Jenrick, po bën atë për të cilën kanë rënë dakord dy qeveritë. Olta tronditet për një gjuhë të tillë që përdor Jenrick për disa vota, por Olta asnjëherë nuk tronditet për gjuhën e Qeverisë së saj për vota.
As nuk tronditet kur mbas votave që fitojnë në bazë të gjuhes vulgare të sapo zgjedhurit shpallen në kërkim nga drejtësia. Olta, si një pjesëtar i komunitetit shqiptar në Britani të lutem na e kurse hipokrizinë, jemi të lodhur nga ju dhe nga politika në tërësi që prodhon Shqipëria. Jemi në 2023 dhe shqiptarët emigrojnë me gomone dhe ilegale, ka nga ata qe kanë lindur në kohën kur janë legalizuar vizat me BE dhe po udhëtojnë me gomone sepse ju si Ministre për Europën nuk denjoni të bëni një marrëveshje me vende të ndryshme si në BE-së po ashtu edhe me Britaninë, që shqiptarët të emigrojnë me viza sezonale, viza pune e të moj kalojnë dete me gomone ku rrezikojnë jetën.
Hipokrizia juaj nuk njeh kufij sepse vetëm firmosni atë qe u kërkon pala tjetër dhe në këtë rast u keni ardhur në ndihmë një Partie në Britani që populli mezi pret ditën e votimeve që ti largoje nga pushteti dhe jeni bërë vegla e tyre për një grusht votash. Postimi i Jenrick është për një grusht votash kurse i juaji është për një grusht ‘Like’ që më së shumti vijnë nga administrata sepse për atë punë i keni punësuar.
Nëse me të vërtet jeni tronditur, atëherë bëni diçka që jo vetëm të mos largohen, por dhe ne që jemi jashtë të kemi mundësinë të kthehemi.