Arrestimi i Matteo Messina Denaros, bosit më të madh të Cosa Nostra është mirëpritur nga opinioni publik në Itali, si një ndër arritjet më të rëndësishme të autoriteteve kundër mafies, madje në momentet e para pas operacionit të forcave speciale ka pasur dhe duartrokitje nga qytetarët e Palermos.
Një nga mesazhet më të veçanta ishte që u gjet në Kishën e San Domenicos në Palermo, ku në epitafin e varrit të Giovanni Falcones u gjet një pusullë ku shkruhej me shkrim dore “Ia dolëm Giova…Pas 30 vitesh”.
Në pusullën për Falcone, i vrarë nga mafia në vitin 1992 nuk ka firmë, por vetëm data 16 janar 2023, ditë kur u arrestua Messina Denaro, 30 vite pas tragjedisë në rrugën D’Amelios.
Gjatë viteve ka pasur shumë dedikimi ne kishën palermitane mbi varrin e magjistratit dhe ky i kësaj jave ishte më i fundit, por edhe më domethënësi.
Imazhet u publikuan në mediat sociale nga Fondacioni Falconi, e cila më herët i bëri jehonë dhe fotove me pranga të kreut të mafies.
Pas 30 vitesh në arrati, kryemafiozi më i kërkuar në Itali, Matteo Messina Denaro, përfundoi në duart e policisë në një klinikë private në Palermo. 60-vjeçari po i nënshtrohej trajtimeve për shkak të një tumori, kur e vu në pranga për t’u dërguar më pas në kazermën e San Lorenzo-s.
Ai është gjykuar dhe është dënuar në mungesë, më burgim të përjetshëm, për një numër vrasjesh. Mes tyre përfshihet vrasja e prokurorëve antimafias Giovanni Falconne dhe Paolo Borsellino në vitin 1992, sulmet vdekjeprurëse me bombë në 1993-shin në Milano, Firence dhe Romë, e gjithashtu rrëmbime, torturë dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar të një mafiozi të kthyer në dëshmitar shtetëror.
“Me personat që kam vrarë mund të bëja një varrezë”, i ka rrëfyer dikur një miku. Ai mendohet të ishte i mbrojturi i Toto Riina-s, kreu i klanit të Korleones, i cili u arrestua në 1993-shin, pas 23 vitesh në arrati.