Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rrëzuar një tjetër objekt të paidentifikuar, i treti brenda javës në Amerikën e Veriut. Këtë herë, objekti cenoi hapësirën ajrore të Kanadasë.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, në Tëitter njoftoi për goditjen e objektit dhe tha se ndodhi mbi territorin e rajonit të Jukonit, në veri të vendit. Ai shtoi se forcat kanadeze do të mbledhin dhe analizojnë mbetjet e objektit.
Ndërkohë, Pentagoni tha se Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) e diktoi objektin mbi Alaskë të premten në mbrëmje.
‘Një F-22 amerikan rrëzoi objektin në territorin kanadez, duke përdorur një raketë AIM 9X, pas një koordinimi midis autoriteteve amerikane dhe kanadeze’, tha zëdhënësi i Pentagonit, Brigadier Gjeneral Patrick Ryder.
Dy ditë më parë, Presidenti amerikan Joe Biden urdhëroi një tjetër goditje të një objekti fluturues të paidentifikuar në Alaskë. Pentagoni dha të premten vetëm pak detaje, që objekti kishte madhësinë e një makine të vogël, po fluturonte në një lartësi mbi 12 km dhe dukej se ishte pa pilot.
Më 4 shkurt, një avion luftarak amerikan F-22 rrëzoi në brigjet e Karolinës së Jugut një objekt që qeveria amerikane e tha se ishte një balonë kineze spiunazhi, pasi ajo kishte fluturuar për një javë në hapësirën e Shteteve të Bashkuara dhe disa pjesë të Kanadasë. Qeveria e Kinës ka thënë se bëhej fjalë për një objekt kërkimor civil.