Meta, kompania që zotëron rrjetin social Faceboook, është gjobitur me 1.2 miliardë euro për keqpërdorim të të dhënave të përdoruesve gjatë transferimit të tyre nga Europa në SHBA.
Gjoba e vënë nga komisioni irlandez për mbrojtjen e të dhënave është edhe më e madhja e vendosur nën rregulloren e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave, sipas së cilës kompanitë duhet të kërkojnë miratimin e përdoruesve dhe klientëve para se të përdorin të dhënat e tyre. Meta ndërkohë ka bërë të ditur se do të apelojë ndaj këtij vendimi që e quajti të panevojshëm dhe të pajustifikuar.
Në thelb të vendimit të komisionit irlandez ishte përdorimin i klauzolave kontraktuale standard për të lëvizur të dhënë nga BE për në SHBA. Këto kontrata ligjore, të përgatitura nga Komisioni europian, parashikojnë se të dhënat personale duhet të mbrohen kur transferohen jashtë Evropës. Gjithashtu ekziston shqetësimi se fluksi i të dhënave të tilla i ekspozojnë shtetasit evropian ndaj ligjeve më të dobëta të privatësisë në SHBA dhe se inteligjenca amerikane mund të ketë akses tek këto të dhëna.