Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka reaguar mbi informacionin rreth dyshimeve të një operacioni kinez të spiunazhit me bazë në Kubë që prej vitit 2019.
Sipas Blinkenit, ky operacion ka qenë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Pekinit të cilën Uashingtoni ka kërkuar ta pengojë.
Deklarata e Blinkenit vjen disa ditë pasi një zyrtar amerikan konfirmoi se Kina ka operuar me një njësi të inteligjencës në Kubë prej vitesh.
Blinken tha se operacioni i Kubës ishte në radhën e “një numri përpjekjesh të Pekinit në mbarë botën për të zgjeruar infrastrukturën e mbledhjes së bazave logjistike jashtë shtetit” – zhvillime për të cilat administrata e Presidentit të SHBA Joe Biden u informua pas marrjes së detyrës.
Të premten, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby ka hedhur poshtë lajmin e Wall Street Journal që thoshte se Kuba dhe Kina kishin arritur një marrëveshje të re paraprake për të ndërtuar një bazë spiunazhi në Kubë në këmbim të “disa miliardë dollarëve”, transmeton Al Jazeera.
“Ne e kemi parë lajmin; nuk është i saktë,” tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters, pa specifikuar se çfarë ishte e pasaktë.