Ligjvënësi amerikan Ritchie Torres ka lëshuar kritika ndaj administratës së presidentit Joe Biden për qëndrimin e SHBA-ve ndaj Kosovës.
Përmes një video-mesazhi, ligjvënësi demokrat nga Neë Yorku, që është edhe bashkëkryetari i grupit për çështjet shqiptare në Kongres thekson se “beteja mes demokracisë dhe autokracisë është një nga sfidat kryesore për shekullin e 21”.
Për këtë arsye, ai shtron një pyetje se përse po sillet në këtë mënyrë Departamenti Amerikan i Shtetit duke gjykuar në mënyrë të gabura Kosovën demokratike dhe po i bën lëshime një vendi autokrat si Serbia.
“Përse Departamenti amerikan i Shtetit po gjykon në mënyrë të gabuar Kosovën demokratike duke i bërë lëshime Serbisë, një vendi gjithnjë e më autokratik”, tha ai.
Ritchie Torres vë në dukje se Kosova është aleat i palëkundur i SHBA-së, ndërsa Serbia sipas tij ka qenë prej kohësh dhe vijon të jetë një satelit në orbitën e Rusisë si dhe Kinës.
“Serbia ka refuzuar t’i vendosë sanksione Rusisë, pas agresionit në Ukrainë dhe krimeve të Putinit ndaj popullatës civile atje. Duke pasur parasysh këto fakte, njeriu pyet vetens e pse DASH këmbëngul t’i bëjë lëshime një shteti satelit i Rusisë, në kurriz të një aleati të qëndrueshëm demokratik si Kosova”, u shpreh kongresisti amerikan.
Ai iu drejtua Departamentit të Shtetit se ka ardhur koha që të vendosë mbështetjen e tij aty ku qëndrojnë vlerat e SHBA-ve, të demokracive të vërteta si Kosova.