Departament Amerikan i Shtetit ka vendosur të shpallët non grata kryetarin e Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut, Ramiz Merkon.
Në komunikatën e publikuar nga DASH mësohet se Merko akuzohet për përfshirje në korrupsion dhe për këtë arsye nuk do t’i lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Sipas DASH, qytetari i parë i Strugës akuzohet për shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në procese gjyqësore.
“Veprimi i sotëm dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre”, shkruhet mes të tjerash në njoftimin e DASH.