Me pankarta në duar, dhe thirrje për lirimin e serbëve të arrestuar nga autoritetet e Prishtinës, qytetarët serbë protestuan këtë të martë në Mitrovicën e veriut dhe Graçanicë. Përmes asaj që e quajtën “Deklarata e Vidovdanit”, e lexuar nga zyrtarët e Listës serbe, komuniteti serb pretendon së është I ekspozuar nga dhuna në Kosovë. Në deklaratë thuhet se nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët do të detyrohen t’u përgjigjen “të gjithë atyre që u dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”, siç pretendohet.
Ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, paralajmëroi gjatë tubimit në Mitrovicën e Veriut se do të përgjigjen nëse, ai qe e quajti, ‘zullumi’ ndaj popullatës serbe do të vazhdojë.
“Ne serbët nga veriu i Kosovës kemi një porosi, se nëse vazhdon ‘zullumi’ ndaj popullit tonë, do të detyrohemi t’i përgjigjemi të gjithë atyre të cilët na duan të keqen, të cilët ëndërrojnë luftë në vend të paqes, dhe do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për mbijetesë dhe mbrojtjen e shtëpive dhe familjeve tona”.
Sipas tij, serbët do të jenë të bashkuar si kurrë më parë në mbrojtjen e familjeve dhe shtëpive të tyre. Në tubimin në Graçanicë foli kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i mbrojë serbët nga autoritetet e Kosovës”, por nuk specifikoi se për çfarë rreziku potencial bëhet fjalë.
Tensionet në veriun e Kosovës mbeten të larta, dhe një sulm me granata dore u raportua në orët e vona të së hënës kundër objektit të komunës në Mitrovicën e Veriut. Sipas policisë sulmi shkaktoi dëme materiale në automjetet zyrtare. Në një reagim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje Serbisë që të mos nxisë dhunë, dhe paralajmëroi mbi rrezikun e humbjes së jetëve si pasoje e veprimeve të tilla.