Në muajin qershor, prodhuesit e ushqimeve dhe pijeve në Britaninë e Madhe ulën çmimet e tyre, për herë të parë në të paktën tre vjet, sipas një sondazhi nga Lloyds Banking Group. Ulja, e cila vjen si pasojë e depërshkallëzimit të kostove, do të jetë një lehtësim për familjet, të cilat tashmë po përballen me krizën e kostos së jetesës, por edhe me rritjen e kostos së kredive të tyre hipotekore, për shkak të rritjes së normave të interesit. Në Britani, inflacioni mbetet në nivelin 8.7%, katër herë më i lartë se objektivi prej 2%.
Është hera e parë që prodhuesit e ushqimeve ulin çmimet që u vendosin shitësve me shumicë dhe pakicë që nga shkurti i vitit 2020. Në maj ata raportuan se kostot e tyre të prodhimit kishin rënë për herë të parë që nga viti 2016, një trend që vazhdoi në qershor pasi çmimet globale të produkteve ushqimore bazë u ulën me 1.4% gjatë muajit.
Sipas ekspertëve ky mund të jetë një lajm i mirë për rrugën e ardhshme të inflacionit të ushqimit në Mbretërinë e Bashkuar. Por gjithësesi ka të ngjarë të kalojë pak kohë para se të shihet ndonjë efekt pozitiv në çmimet që konsumatorët paguajnë në para.
Jashtë sektorit të ushqimeve dhe pijeve, presionet inflacioniste mbetën të forta, sipas Lloyds’ UK Sector Tracker. Ndërsa gjashtë nga 14 sektorët e ekzaminuar tregojnë një rënie të kostove të prodhimit, shumë biznese raportuan një rritje të kërkesës. Kështu, numri i kompanive që raportuan rritje të çmimeve për të përballuar kërkesën e fortë të klientëve u rrit 4.3 herë mbi mesataren afatgjatë, nga 2.5 herë në maj.
Kjo mund të shqetësojë Bankën e Anglisë, e cila po rrit normat e interesit që nga fundi i vitit 2021 në një përpjekje për të ulur kërkesën dhe për të rikthyer inflacionin në objektivin e saj prej 2%.
Megjithatë, shenjat se prodhuesit e ushqimit kanë filluar t’i kalojnë reduktimet e tyre të kostos tek konsumatori pritet të lehtësojnë shqetësimet për situatën në të cilën disa kompani përdorin inflacionin si justifikim për të rritur marzhet e tyre të fitimit. Kjo e fundit është në fokusin e një hetimi nga komiteti përkatës i Parlamentit Britanik, si dhe nga Komisioni i Konkurrencës.
Dorina Kurtaj /SCAN