Pas fitimit të Champions League, Manchester City synon ta kthejë stadiumin e tij në një nga atraksionet kryesore sportive në kontinent.
Projekti është miratuar së fundmi nga Këshilli Bashkiak i Mançesterit, që i dha dritë jeshile një plani në të cilin “Citizens” do të shpenzojnë më shumë se 350 milionë euro.
Investimi do të shërbejë për të rimodeluar skajin verior të stadiumit Etihad, duke zgjeruar kapacitetin nga 53 400 spektatorë në 60 000. Në fillim të kësaj tribune të re do të jetë një bar me pamje nga fusha dhe një vendkalim i mbuluar në krye të stadiumit.
Përveç kësaj, Manchester City synon të ndërtojë një muze klubi, një dyqan të ri, si dhe të mbulojë zonën ku tifozët kalojnë orët para dhe pas ndeshjeve. Klubi do të ndërtojë edhe një hotel ngjitur me stadiumin, me 400 shtretër.
Vlerësohet se punimet do të nisin në nëntor dhe do të përfundojnë në fund të vitit 2026, megjithëse klubi synon të inaugurojë tribunat e reja gjatë sezonit 2025-26.