Tetëmbëdhjetë persona kanë mbetur të plagosur brenda pak orësh si pasojë e aksidenteve të ndodhura në rrugët e vendit.
Në Rrugën e Kombit, 5 anëtarët e një familje u plagosën, pasi makina me targa serbe me të cilën ata po udhëtonin u përplas me trafikndarësen.
Familja ishte nisur për në plazh, por si pasojë e aksidentit përfundoi në spitalin e Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë pak minuta më vonë një tjetër aksident ndodhi në Fier. Rreth orës 07:30 të mëngjesit në vendin e quajtur “Safari park” në Fier u përplasën dy automjete, ndërsa 10 persona u lënduan.
Sipas policisë, dy pasagjerë 25 dhe 56 vjeç ndodhen në spital në gjendje të rendë, ndërsa 2 drejtuesit e mjeteve dhe 6 pasagjerë të tjerë u transportuan në spital për të marrë mjekim dhe për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Në orët e para të mëngjesit në Shkopet ndodhi një aksident i dyfishtë, me dy persona të plagosur.
Ndërsa në qytetin e Korçës një 74-vjeçar me makinë përplasi një tjetër person me motor, i cili u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.