Luiza Gega vijon të shkruaj me “gërma të arta” historinë e atletikës shqiptare. Kampjonia e Evropës ka tejkaluar edhe një herë veten, duke shënuar një tjetër rezultat të madh, teksa ka vendosur rekord të ri kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa.
Këtë herë Gega ka mahnitur në eventin prestigjioz, “Diamond League”, të zhvilluar në Zyrih, teksa ka fiksuar kohën 9:09.64 në garën e mbrëmjes së kësaj të premteje, duke stampuar kështu rekordin e radhës në karrierë, duke përmirësuar kohën 9:10.27, të cilën e kishte regjistruar një vit më parë në Kampionatin Botëror në SHBA.
Ndërkohë, duhet theksuar se edhe në “Diamond League”, Gega nuk ishte në formën e saj më të mirë fizike, pasi ende nuk e ka kaluar plotësisht dëmtimin e pasuar rreth 2 javë më parë, megjithatë ajo bëri një paraqitje mbresëlënëse, duke u klasifikuar në vend të katërt.
I gjithë podiumi i Zyrihut u formua nga treshja e parë e Botërorit të Budapestit, teksa në vend të parë u rendit keniania Mutile Winfred Yavi, e cila përfaqëson Bahrejnin. Ajo fiksoi kohën 9:03.19. Pas saj u klasifikuan dy sportistet e Kenias, Beatrice Chepkoech me kohën 9:03.70 dhe Faith Cherotich me rezultatin 9:07.59. Ndërsa menjëherë pas tyre në finish mbërriti kampionia jonë, e cila po thyen çdo limit duke mahnitur në sallonet më të rëndësishme globale të atletikës.