Komisioni Evropian tha të hënën vonë se ndihmat humanitare për palestinezët nuk do të pezullohen, duke e hedhur poshtë një deklaratë paraprake të njërit prej zyrtarëve të vet të lartë.
Komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha të hënën gjatë ditës se pas sulmit të grupit militant Hamas ndaj Izraelit të shtunën “të gjitha pagesat [për palestinezët] do të pezullohen menjëherë. Të gjitha projektet janë nën shqyrtim. Të gjitha propozimet e reja buxhetore, përfshirë edhe ato për vitin 2023 janë shtyrë deri në një njoftim të ri”. Në një reagim më vonë, Komisioni Evropian e kundërshtoi zyrtarin e vet Varhelyi, duke thënë se “nuk do të ketë pezullim të pagesave”. Komisioni nuk dha shpjegim për këtë rrëmujë. Që nga e shtuna, përkrahja e 27 vendeve të BE-së për Izraelin ka qenë e madhe, të cilat kanë thënë se vendi ka çdo të drejtë brenda ligjit ndërkombëtar të mbrojë veten në luftë me Hamasin.