Komandanti i misionit të KFOR-it gjeneralmajor Ozkan Ulutash sot është takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Gjeneral major Ulutash theksoi nevojën thelbësore për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë dhe organizatave të sigurisë së Kosovës për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë vendin, për të mirën e të gjitha komuniteteve.
Ai ritheksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit të tij në OKB. Ai gjithashtu nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë së KFOR-it në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet në postimin e KFOR-it në rrjetin social X.