Ambasada Amerikane në Tiranë ka dhuruar pajisje për sistemin penitenciar në Shqipëri. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose ka pritur Zv/Shefen e Misionit në Ambasadën Amerikane në Tiranë znj. Kathryn Hammond së bashku me delegacionin nga Uashington.
Në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve për rritjen e sigurisë në burgje, Qose siguroi se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi penitenciar, më të drejtë, më të fortë dhe profesional në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Sipas tij përmes rekomandimeve të dhëna nga autoritet monitoruese është nxitur llogaridhënia e institucioneve, është rritur përgjegjshmëria për kryerjen e detyrave funksionale duke krijuar premisa për riintegrimin e të burgosurve.
“Drejtoria e burgjeve ka ndërmarrë hapa konkretë strategjikë dhe operacionalë duke marrë në konsideratë standardin dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Implementimi i një politike të drejtë menaxhuese, marrja e përgjegjësive për ekzekutimin e vendimeve penale duke ruajtur balancën mes sigurisë dhe trajtimit human të shtetasve në konflikt me ligjin, janë elementë thelbësorë mbi të cilën kemi konsoliduar qasjen tonë. Përmes rekomandimeve është nxitur llogaridhënia e institucioneve, është rritur përgjegjshmëria për kryerjen e detyrave funksionale për rehabilitimin dhe integrimin e të burgosurve”, tha Qose, përcjell A2 CNN.
Ai tha se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vlerëson marrëdhënien me partnerë të tillë strategjik si qeveria e SHBA.
“Në thelb të këtij bashkëpunimi qëndrojnë dy programe strategjike të qeverisë së SHBA, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në reformimin dhe profesionalizimin e sistemit penitenciar”, deklaroi Qose.
Nga ana e saj Kathryn Hammond theksoi se duhet “të krijohet një mjedis për riintegrimin e të burgosurve pasi të dalin nga sistemi i burgjeve”.