Pep Guardiola beson se Manchester City po lëviz në drejtimin e duhur këtë sezon, por në të njëjtën kohë thekson se kanë ende punë për të bërë për t’u rikthyer te fitoret pas një sezoni në të cilin nuk arritën të fitonin asnjë trofe të vetëm.
“Jemi shumë më mirë se vitin e kaluar dhe po rritemi ndeshje pas ndeshjeje, por ka shumë gjëra për t’u përmirësuar dhe puna është larg përfundimit”, tha ai në prag të ndeshjes së Premier League kundër Evertonit, ku Qytetarët janë tri pikë pas liderit Arsenal.
Ekipi ka përfituar nga performancat e Erling Haaland, i cili ka shënuar nëntë gola në Premier League dhe tre në Ligën e Kampionëve, për të mos përmendur tetë për Norvegjinë, dhe Guardiola nuk i kursen fjalët e mira.
“Ai ndihet shumë mirë, niveli i tij i performancës, dhe jo vetëm për sa i përket golave, është i jashtëzakonshëm”, tha Guardiola për sulmuesin.
“Është e qartë se ai do të bjerë, se është e pamundur të qëndrojë në këtë nivel, por unë do të jem atje, ne do të jemi atje pranë tij”. Lidhur me të ardhmen e tij, Pep Guardiola, nën kontratë deri në vitin 2027 në Manchester, tha se nuk dëshiron të bëjë një pushim tani. “Në vitin 2035, do të filloj të mendoj për këtë”, tha ai me shaka.