Qyteti jugor i Tajlandës, Hat Yai, u godit rëndë nga përmbytjet, pasi zyrtarët thanë se 33 persona kishin vdekur në nëntë provinca, ndërsa Malajzia fqinje u detyrua gjithashtu të zhvendoste mijëra banorë.
Pamjet e filmuara me dron nga Reuters të enjten (27 nëntor) treguan Hat Yai, një qendër tregtare në Tajlandën jugore, të zhytur në ujërat e përmbytjeve, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit u intensifikuan.

Ministria e Brendshme tha se përmbytjet në nëntë provinca, kryesisht në jug, kishin prekur më shumë se 980,000 shtëpi ose rreth 2.7 milionë njerëz, shkruan A2 CNN.
Spitali kryesor i Hat Yai u përmbyt, duke i detyruar autoritetet të zhvendosin rreth 600 pacientë, 50 prej të cilëve në kujdes intensiv.

Tajlanda transportoi me helikopter pacientët nga Hat Yai në provincën jugore Songkhla të mërkurën, ndërsa me avion transportoi pajisje emergjence si bombola oksigjeni për të trajtuar të plagosurit.

Përmbytjet e mëdha të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që filluan një javë më parë kanë vrarë të paktën 33 persona në Tajlandën jugore dhe dy në Malajzinë fqinje, me dhjetëra mijëra njerëz tani në qendrat e evakuimit në të dy vendet, disa pasi u izoluan për ditë të tëra nga uji deri në 2 metra, shkruan A2 CNN.

Katastrofa ka përfshirë nëntë provinca tajlandeze dhe tetë shtete në Malajzinë fqinje për të dytin vit radhazi, duke bërë që të dy vendet të evakuojnë gati 50,000 njerëz.




