Një gabim me një mesazh WhatsAppi i ka kushtuar shtrenjtë një shqiptari në Angli, i cili është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg pasi futi pa dashje në një bisedë chati personin e gabuar.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Urim Pomari ishte liruar së fundmi nga burgu dhe vetëm dy javë më pas tentoi të rifillonte aktivitetin e tij me shitjen e kokainës. Ai krijoi një grup në WhatsApp ku dërgoi një mesazh duke ofruar doza kokaine për shitje, të shoqëruara edhe me një emoji dëbore ❄ , simbol që përdoret shpesh si kod për këtë lloj droge. Por gabimi i tij rezultoi fatal, pasi në grup shtoi edhe numrin e oficerit të shërbimit të provës, tek i cili ishte i detyruar të paraqitej çdo javë.
Pas marrjes së informacionit për mesazhin, policia ndërhyri duke kontrolluar banesën e Pomarit në Ipswich. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan sasi kokaine, peshore për matjen e drogës dhe 1,255 paund para cash.
Rasti u komentua edhe gjatë seancës gjyqësore. Gjyqtarja Nicola Talbot-Hadley theksoi se Pomari “nuk është një kriminel i sofistikuar”, ndërsa e cilësoi “budallallëk” faktin që ai i kishte dërguar mesazhin pikërisht oficerit të tij të provës. Në përfundim, gjykata vendosi ta dënojë me 2 vite e 4 muaj burg.


