Britania e Madhe ka vendosur në gatishmëri të avancuar një nga anijet e saj më të fuqishme ushtarake, aeroplanmbajtësen HMS Prince of Wales.
Ministria britanike e Mbrojtjes konfirmoi se po shkurtohet koha që anija të jetë gati për t’u nisur në rast se kërkohet dislokimi i saj, ndërsa kriza në Lindjen e Mesme vazhdon të përshkallëzohet.
Në një deklaratë thuhet se aeroplanmbajtësja ka qenë gjithmonë në nivel të lartë gatishmërie, por përgatitja e saj po rritet edhe më tej për një nisje të mundshme.
Sipas raportimit të Sky News, që citon një burim ushtarak, anija dhe ekuipazhi i saj janë paralajmëruar për një dislokim të mundshëm në Lindjen e Mesme.
Vendimi nuk do të thotë domosdoshmërisht se anija do të dërgohet menjëherë në rajon, por i jep më shumë fleksibilitet kryeministrit britanik Keir Starmer për ta dislokuar më shpejt nëse situata e kërkon.


