Koncesionet në vendin tonë, sidomos kontratat me pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit, kanë rezultuar bizneset më fitimprurëse sa u përket normave të fitimit dhe rreziqeve që shpesh janë transferuar te shteti.
Albania Highway Concession Company, që po mirëmban me koncesion Partneritet Publik-Privat (PPP) Rrugën e Kombit ka realizuar në vitin 2024 rreth 2,6 miliardë lekë të ardhura, nga rreth 1,47 miliardë lelë që kishte të projektuara në kontratë. Arkëtimet reale janë rreth 77% më të larta se projeksionet në kontratë sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në raportin e posaçëm për koncesionet që i takon vitit 2024.
Sipas grafikut të mëposhtëm, kthesa e vërtetë vjen në vitin 2019, kur të ardhurat e mbledhura rriten ndjeshëm dhe i afrohen 1.8 miliardë lekëve, duke tejkaluar për herë të parë parashikimet me 40%.
Kjo tregon se fluksi i automjeteve dhe përdorimi i rrugës Milot–Morinë ishte rritur shumë më shpejt sesa ishte llogaritur fillimisht, duke e bërë këtë aks një burim të rëndësishëm të ardhurash. Në vitin 2020 vërehet një rënie e përkohshme e të ardhurave të mbledhura, e lidhur me pandeminë dhe kufizimet e lëvizjes, por edhe në atë vit ato mbeten mbi 1.4 miliardë lekë, sërish se projeksioni në kontratë.
Pas vitit 2021, grafiku tregon një stabilizim dhe më pas një rritje të re të fortë. Të ardhurat e mbledhura kalojnë mbi 2 miliardë lekë dhe vazhdojnë të rriten në vitet 2022, 2023 dhe 2024, duke arritur rreth 2.6 miliardë lekë në 2024. Ndërkohë, të ardhurat e vlerësuara mbeten më të qëndrueshme dhe rriten me ritëm më të ngadaltë, duke u luhatur rreth 1.2–1.5 miliardë lekë.
Kjo kontratë koncesionare parashikon garantimin nga ana e autoritetit kontraktues te një pragu te të ardhurave nga trafiku të përcaktuar në kontratë si dhe ndarjen e tyre midis koncesionarit dhe Autoritetit Kontraktues në rast të tejkalimit të këtij pragu.
Ndërkohë për realizmin e veprave të artit të përcaktuara në kontratë një pjesë e kostos së tyre mbulohet nëpërmjet subvencionimit nga buxheti i shtetit.
Në vitin 2024 pragu i të ardhurave ishte 1,47 miliardë lekë, por në vërtetë janë arkëtuar 1,3 miliardë lekë më shumë nga të cilat 40 për qind ose 452 milionë lekë shkojnë për autoritetin kontraktor, dhe pjesa tjetër 60% ose 678 milionë lekë shkon për koncesionin.
Kjo ecuri e ka shndërruar kontratën PPP një aset gjithnjë e më fitimprurës, me të ardhura që rriten vit pas viti me shpejtësi përtej çdo pritshmërie në kontratë. Por ndërkohë për përdoruesit barra e pagesave është shumë më e rëndë sesa ajo që ishte parashikuar fillimisht kur u ndërtua modeli ekonomik i projektit.


