Kina ka refuzuar thirrjen e Australisë për një hetim mbi përgjigjshmërinë globale ndaj përhapjes së pandemisë të koronavirusit.
Uashingtoni dhe disa aleatë kanë akuzuar Kinën se nuk ka reaguar siç duhet ndaj kërcënimit të sëmundjes virale që në javët e para kur u zbulua për herë të parë në Wuhan.
Presidenti amerikan Donald Trump gjithashtu shkurtoi fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit pasi e akuzoi atë për keqmenaxhimin e krizës së pandemisë.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Geng Shuang tha se akuzat e ngritura ndaj Kinës, nuk respektuan “përpjekjet dhe sakrificat e jashtëzakonshme të popullit kinez” për të luftuar virusin.
“Cdo pyetje në lidhje me transparencën e Kinës në parandalimin dhe kontrollin e situatës epidemike nuk është në përputhje me faktet,” tha Geng për një konferencë për shtyp.
Ai u përgjigj pyetjes së ministres së jashtme australiane Marise Payne, e cila një ditë më parë tha se Australia do të “këmbëngulë” në hetimin për përgjigjshmërinë e Pekinit dhe OBSH.
Ka pasur shumë pyetje në lidhje me raportimet e Kinës ndaj statistikave të Covid-19, pasi ajo ndryshoi vazhdimisht kriteret e saj të numërimit në kulmin e shpërthimit, transmeton The Guardian.
Autoritetet në Wuhan fillimisht u përpoqën të mbulonin shpërthimin, duke ndëshkuar mjekët që kishin ngritur alarmin në rrjet gjatë dhjetorit.
Shkencëtarët kinezë kanë refuzuar teoritë e konspiracionit të nxitura nga qeveria amerikane duke pretenduar se virusi mund të kishte origjinën në një laborator të virusit të sigurisë më të madhe në Wuhan.
Trump ka sugjeruar që Kina mund të ketë qenë “me vetëdije përgjegjëse” për përhapjen e infeksionit dhe si rezultat do i duhet të përballet me pasojat./bota.al/