Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus ditëve të fundit në Kosovë do të shtyjë hapjen e kufijve me Shqipërinë. Madje ky rikthim i shifrave po vlerësohet si rrezik i madh për shëndetin e njerëzve.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë dhënë Gazetës Express ka deklaruar për momentin është e pamundur hapja e kufijve me shtetin shqiptar.
Kjo pas shfaqjes së rasteve të fundit në Kosovë. “Duhet të kuptohemi drejt. Nëse nuk stabilizohemi dukshëm situatën e pandemisë në të dy anët e kufirit, atëherë dëmi do të shkojë dhe më lartë. Është tepër e rëndësishme që qytetarët të vetëdijesohen që trendin e javës së kaluar ta mbajnë. Sot Shqipëria ka vetëm 4 raste, Kosova ka 24. Ky është një shqetësim shumë i madh. Qytetarët duhet të rrisin vigjilencën për të shmangur virusin. Operatorët turistik i kanë intensifikuar lidhjet midis tyre për të krijuar rregullat për të pasur një pushim sa më të mirë duke u bazuar në rregullat e OBSH-së. Se kur do të shkojmë në plazh apo do të rrezitemi në diell, varet gjithmonë nga ne së bashku. Ne duhet t’i minimizojmë sa më shumë rastet e Covid 19, aq më shpejt mund të shkojmë në plazh”, thotë ai për Express.
“Është shumë e rëndësishme të rikthehemi aty se ku kemi qenë para dy muajsh”, sqaroi ai.